Secondary Adv

Euro bie në minimum historik, më pranë se kurrë pragut të 95 lekëve

Monedha europiane ka shënuar një tjetër minimum historik në tregun vendas valutor, duke iu afruar më shumë se kurrë pragut psikologjik të 95 lekëve.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye të mërkurën me 95.07 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë. Që nga fillimi i vitit 2026, euro është zhvlerësuar me rreth 1.8 për qind kundrejt lekut, ndërsa në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar rënia ka arritur në 2.9 për qind. Tendenca rënëse është forcuar me afrimin e sezonit veror, kur hyrjet e valutës nga turizmi shtojnë ofertën e euros në tregun vendas.

 

Sipas operatorëve të tregut valutor, flukset e larta të valutës nga turizmi po ushtrojnë presion të vazhdueshëm mbi kursin e këmbimit. Kjo prirje pritet të mbetet e fortë gjatë muajve të verës, kur hyrjet valutore arrijnë nivelet më të larta të vitit.

 

Ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë nuk e kanë ndalur rënien

Banka e Shqipërisë ka vijuar ndërhyrjet në tregun valutor për të ngadalësuar ritmin e forcimit të lekut, por pa mundur ta ndalojë plotësisht këtë tendencë. Në komunikimet e saj publike, banka qendrore ka theksuar se objektivi nuk është mbajtja e një niveli të caktuar të kursit të këmbimit, por shmangia e luhatjeve të forta dhe të menjëhershme.

 

Në periudhën 2024–2025, Banka e Shqipërisë bleu mbi 2 miliardë euro në tregun e brendshëm valutor për rritjen e rezervës valutore dhe për të zbutur forcimin e lekut. Edhe gjatë vitit 2026 ndërhyrjet mendohet të kenë vazhduar, megjithëse shifrat zyrtare ende nuk janë publikuar.

 

Inflacioni mund të ndryshojë qasjen e bankës qendrore

Rritja e inflacionit në muajt e fundit mund të ndikojë në qëndrimin e Bankës së Shqipërisë ndaj kursit të këmbimit. Me inflacionin që ka arritur tashmë objektivin prej 3 për qind dhe me sinjale për rritje të mëtejshme, argumenti për frenimin e forcimit të lekut në funksion të mbështetjes së inflacionit bëhet më pak i fortë.

 

Nëse banka qendrore redukton ndërhyrjet në treg, kursi i këmbimit do të mbetet më i ekspozuar ndaj forcave të tregut, të cilat aktualisht favorizojnë një forcim të mëtejshëm të monedhës vendase.

 

Efekte pozitive për konsumatorët, sfida për eksportuesit

Një lek më i fortë ndihmon në zbutjen e presioneve inflacioniste, pasi ul kostot e mallrave dhe shërbimeve të importuara. Kjo ka kontribuar në amortizimin e një pjese të rritjes së çmimeve të produkteve që vijnë nga jashtë vendit.

 

Megjithatë, forcimi i vazhdueshëm i lekut po krijon vështirësi për sektorët eksportues të ekonomisë. Bizneset që realizojnë të ardhurat në euro, por kanë kostot kryesisht në lekë, po përballen me ulje të fitueshmërisë dhe humbje të konkurrueshmërisë në tregjet ndërkombëtare.

 

Me sezonin turistik që sapo ka nisur dhe me flukset valutore që pritet të rriten më tej gjatë verës, tregu po e sheh gjithnjë e më të mundshëm testimin e pragut të 95 lekëve për një euro në javët e ardhshme.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat